Tiranë, më 9 Tetor 2009

 

Krijohet Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i zhvillimit për Shqipërinë Ministri Tafaj takon z. Douglas Carlston

 

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Myqerem Tafaj priti sot në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës z. Douglas Carlston (Daglas Karlston) dhe përfaqësues të tjerë të Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve. Z. Carlston ndodhet në Shqipëri me rastin e mbledhjes së përvitshme të Bordit të FSHAN-së, që organizohet në Tiranë, çdo vit, si dhe për të promovuar krijimin e një Fondacioni të ri.

Bordi i Fondit Shqiptaro-Amerikan ka marre aprovimin nga Qeveria Amerikane nëpërmjet Agjencisë Ndërkombëtare te Zhvillimit (USAID) dhe Departamentit te Shtetit te SHBA-se për te ngritur dhe krijuar një Fondacion te ri jo fitim prurës për Shqipërinë, Fondacionin Shqiptaro – Amerikan te Zhvillimit për Shqipërinë (AADF). Ky Fondacion i ri pritet te ketë një kapital fillestar me mbi 100 milionë dollarë, fonde të cilat do të përdoren kryesisht për të nxitur dhe mbështetur zhvillimin e sektorit privat, nëpërmjet programeve, të cilat specifikisht do te mbështesin (a) zhvillimin e qëndrueshëm te arsimit; (b) sipërmarrjen private; (c) zhvillimin e kapaciteteve udhëheqëse dhe (d) zhvillimin e turizmit kulturor dhe eko-turizmit.

Ministri Tafaj ka siguruar z. Carlston dhe Bordin e FSHAN-së për mbështetjen dhe krijimin e lehtësirave nga ana e MASH për një bashkëpunim të ngushtë, me qëllim realizimin e objektivave në fushat prioritare për arsimin në Shqipëri, si trajnimi i mësuesve, përdorimi sa më efikas i Teknologjisë së Informacionit në shkolla e kurrikul, si dhe forcimin e partnershipit të sektorëve publikë e privatë në arsim.