Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe shkencës ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Me ftesë të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës z. Myqerem Tafaj, ndodhet për një vizitë zyrtare në vendin tone Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës z. Enver Hoxhaj.
Së bashku me delegacionin që e shoqëron z. Enver Hoxhaj e filloi vizitën e tij dje nga Korça. Të dy delegacionet u takuan te Mësonjtorja dhe vijuan me takime me mësues dhe pedagogë të Korçës.
Sot pas bisedimeve zyrtare u nëshkrua marrëveshja 5-vjeçare për bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe të shkencës.
Marrëveshja synon të intensifikojë dhe të garantojë bashkëpunimin bilateral midis dy vendeve mbi bazën e realizimit të objektivave të përbashkëta për arritjet e standarteve në fushën e arsimit.
Pikat kryesore në të cilat mbështet marrëveshja prekin bashkëpunimin në fushën e kurrikulave në sistemin parauniversitar dhe atë universitar për shkëmbimin e nxënësve, studentëve dhe profesorëve. Bashkëpunim më i ngushtë i projekteve të përbashkëta të kërkimit shkencor dhe inovacionit në fushën e nëntokës, shkencave albanologjike, mjedisit etj.
Kjo marrëveshje do të sigurojë mbështetje për universitetin e Prizrenit me staf akademik dhe hartimin e kurrikulave.
Marrëveshja parashikon hartimin e diplomave të përbashkëta sipas standarteve të Bashkimit Evropian si dhe mbështetje për studentët e doktoraturës duke shtuar numrin e kuotave për studentët nga Kosova.
Intensifikimi i bashkëpunimit qeveritar duke zhvilluar politika arsimore brenda kornizës evropiane do t’i shërbejë objektivave të përbashkëta në fushën e arsimit dhe të shkencës.
Ministri Hoxhaj dhe delegacioni që e shoqeron pati takime me Kryeministrin z. Sali Berisha dhe me pas një takim në Presidencë me Presidentin e Republikës z. Bamir Topi.
Takimet e paradites u mbyllën me një vizitë në shkollën 9-vjeçare “Sadik Stavileci” në Kashar gjatë së cilës u bë dhe binjakëzimi me shkollën “Gjon Buzuku” tw Prizrenit.
Delegacioni kosovar zhvilloi vizita edhe në institucione të tjera varësie të MASH.
|