“Interneti në shkolla”, Ministri Tafaj: 2107 shkolla në Shqipëri me shërbim interneti.
Qeveria Shqiptare në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë realizon një nga prioritetet madhore të programit të saj në fushën e arsimit, shtrirjen e internetit në 2107 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme të vendit.
Lidhja e shkollave në internet është pjesë e projektit “Cilësi dhe Barazi në Arsim” (CBA) që bashkëfinancohet nga Qeveria Shqiptare, Banka Botërore, Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës. Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) ka mbështetur hartimin e “Master Planit për programin e E-shkollave në Shqipëri”.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës Z. Myqerem Tafaj gjatë përshëndetjes së tij në këtë ceremoni vlerësioi se: “Sot bëhet realitet ajo që vetëm 4–5 vjet më parë, ishte një ëndërr për thuajse gjithë nxënësit e Shqipërisë, mësimi me kompjuter dhe lundrimi në internet 2107 shkolla janë pajisur me kompjuter dhe lidhur në internet. Rreth 500 mijë nxënës fillojnë të mësojnë me kompjuter dhe internet në shkollë. Investimi total për infrastrukturën hard dhe lidhjen e internetit arrin vlerën 15.45 mln USD“.
Nxënësit dhe mësuesit e shkollave tona do të ndihen më afër jo vetëm me homologët e tyre në vend por edhe në botë, dhe, ajo që është shumë më e rëndësishme, ato do të kenë mundësi që ndjekin çdo ditë zhvillimet e reja në në të gjitha fushat. Hapësira e mundësive që ofron interneti për të mësuar dhe për t’u informuar është e pafund. Këtë privilegj e kanë tani jo vetëm nxënësit dhe mësuesit e qyteteve të Tiranës, Durrësit etj por edhe të fshatrave të Derviçanit në Gjirokastër, Maqellarës në Dibër, Bujanit në Tropojë, etj.“
Projekti CBA ka filluar në tetor 2006 dhe synon përmirësimin dhe fuqizimin e kapaciteteve menaxhuese të sistemit arsimor, pajisjen me kabinete informatike dhe kompjutera të të gjitha shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të vendit, trajnimin e mësuesve për reformën e kurrikulës së arsimit të mesëm të përgjithshëm, përmirësimin e infrastrukturës shkollore duke investuar në ndërtimin dhe rikonstruksionin e godinave shkollore në zonat ku ka nevojë, implementimin e reformës së arsimit të lartë. Investimi për pajisjen me kompjuter dhe lidhjen e internetit në të gjitha shkollat e vendit arrin vlerën 15,45 mln USD.
Që prej vitit 2005, janë instaluar 1497 laboratorë informatike me afro 17 000 PC në gjitha shkollat e vendit. Në këto shkolla nxënësit mësojnë të përdorin programet bazë të kompjuterit dhe kanë akses në internet. Përmirësimi i cilësisë së mësimdhënies dhe përdorimi i teknologjive të reja të të mësuarit dhe të të nxënit ndihmohet nga përdorimi i 2000 kompjutera lap top dhe 2000 videoprojektorë.
Pajisja me komputer dhe lidhja në internet e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme krijon bazën e nevojshme për shtrirjen e teknologjisë së informacionit në programin mësimor dhe modernizimin e funksionimit të të gjithë sistemit arsimor në vendin tonë.
Albtelekom është kompania zbatuese e projektit për lidhjen e internetit.
|