Tiranë, më 29 Prill 2010

   

 

Ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Myqerem Tafaj shpjegon ndryshimet në projekt-ligjin për Arsimin e Lartë.

 

Një ditë pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj, shpjegoi ndryshimet kryesore që i janë bërë ligjit ekzistues të Arsimit të Lartë.

Sipas Ministrit Tafaj, ky ligj ka hyrë në fuqi në Maj të vitit 2007. Periudha 3-vjeçare e zbatimit të këtij ligji është vlerësuar si një periudhë gjatë së cilës është realizuar një reformë e thellë në sistemin e Arsimit të Lartë Shqiptar. Kjo reformë ka prekur të gjitha aspektet e këtij sistemi, në mënyrë të veçantë strukturën e studimeve dhe përmbajtjen e tyre, në përputhje me standardet e Bolonjës. Titullarët e universiteteve janë zgjedhur me votë të drejtpërdrejtë të profesoratit dhe të studentëve. Gjatë kësaj periudhe është rritur autonomia e universitete si në planin institucional,  ashtu dhe në atë financiar e paralelisht me të edhe arsimi i lartë privat është zhvilluar me shpejtësi. 

Sistemi i arsimit të lartë sot paraqitet tërësisht ndryshe, si në planin sasior dhe atë cilësor. Kjo reformë e thellë u shoqërua edhe me liberalizimin e pranimit të studentëve në universitete. Sot kemi gati 3 herë më shumë studentë se në vitin 2004. Pas një konsultimi të gjerë me Konferencën e Rektorëve, me Këshillin e Arsimit të Lartë dhe Shkencës, me profesoratin dhe studentë të universiteteve publike dhe private, iu propozua Këshillit të Ministrave një paketë ndryshimesh që synon të thellojë reformën e nisur.

Ministri Tafaj i  komentoi ndryshimet e projekt-ligjit, së pari në strukturë. Struktura e re konsolidon të tre ciklet e studimeve me disa përmirësime. Diploma e Nivelit të Parë do të quhet “Bachelor”, si në shumë vende të tjera europiane dhe mbetet përsëri 3 vite akademike me 180 kredite. Ka pasur propozime për ta zgjatur diplomën e nivelit të parë e për ta bërë 4 vjet, por gjatë diskutimeve u sollën mjaft argumente bindëse për ta ruajtur këtë strukturë me 3 vjet dhe me një diplomë me emërtim internacional, Bachelor.

Cilët janë argumentet më kryesore?
Së pari, ne jemi në vitin e pestë të Maturës Shtetërore dhe synojmë që në maturën e vitit 2011, siç e kemi të përcaktuar në ligjin e Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, do të lëshojnë “Diplomë të Maturës Shtetërore”. Në maturën e vitit 2012-të kjo diplomë do përmbajë jo më 4 provime si deri tani, por 5 provime. Provimi i 5-të do të jetë provimi i detyruar i gjuhës angleze ose i një gjuhe tjetër të parë për shkollat bilinguale. Kësisoj ne kemi një pikënisje të barabartë me çdo vend tjetër europian, pra një maturë me standarde të tilla. Në këtë mënyrë studentët që në ditën e parë të pranimit në shkollën e lartë janë krejtësisht të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre në çdo vend të Europës. Diploma Bachelor me kohëzgjatje 3 vite akademike është forma më frekuente që zbatohet në shumicën e vendeve që kanë aderuar në Procesin e Bolonjës. Kështu ne garantojmë ekuivalencën e krediteve dhe të kësaj diplome me çdo vend tjetër që ka aderuar në marrëveshjen e Bolonjës.

Një argument tjetër, që solli Ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Myqerem Tafaj, është se Bachelor në filozofinë e tij, sipas Bolonjës, mund të jetë i dy natyrave ose tipeve. Ai mund të jetë një Bachelor i orientuar ngushtësisht me një profesion dhe kjo ka kuptim veçanërisht për shkencat teknike. Në shumë fusha ekzistojnë mundësi të plota që të zhvillohet një Bachelor i orientuar ngushtësisht në një profesion me shanse shumë të mëdha për t’u thithur nga tregu i punës.

Ekziston një grup tjetër i fushave të shkencës, ku integrimi në tregun e punës me një diplomë Bachelor, nuk është kaq i lehtë. Për këtë qëllim universitetet duhet të zhvillojnë një Bachelor, i cili ka një bazë shumë më të gjerë teorike dhe ju krijon mundësi studentëve që në ciklin e dytë të studimeve, të kenë mundësi të zgjedhin jo një program Master në atë fushë ku kanë kryer diplomën Bachelor, por të paktën në pesë deri në gjashtë apo dhe më shumë fusha të përafërta. Dje Kryeministri Berisha në komentin që bëri theksoi mundësinë që nga Bachelori i Ekonomisë studentët të kenë mundësi të vazhdojnë një Master në të Drejtën Ekonomike. Kjo gjë duhet të jetë plotësisht e mundur dhe për vetë faktin se këto janë forma të njohura në të gjitha shkollat e huaja edhe në disa shkolla në vendin tonë. Ky është një nga parimet kryesore të Bolonjës, i njohur si fleksibiliteti i studimeve, për të transferuar kreditet nga një drejtim studimi në një tjetër.

Zhvillimi i një Bachelori të orientuar ngushtësisht në një profesion kërkon një bashkëpunim të universiteteve me tregun e punës dhe me sektorin privat. Shumica e vendeve evropiane kanë përkrah universiteteve, kolegje ose institute teknike. Ne i kemi akoma këto cikle studimi në fazën fillestare të zhvillimit. E kemi filluar në Universitetin e Durrësit dhe po përpiqemi të shtrijmë modelin e akademive profesionale. Kjo do të thotë që universitetet tona, në strategjinë e zhvillimit të tyre, duhet të mendojnë për diploma të tilla. Strategjia e zhvillimit të Arsimit të Lartë parashikon mbështetje me përparësi të diplomave të lidhura  ngushtë me një drejtim profesional.

Në Ciklin e Dytë të Studimeve, ndryshimi që ndodh është se do të përdoret përsëri emërtimi Master, por jo më Master i Nivelit të parë, por thjesht “Master” dhe në vend të “Diplomë e Nivelit të Dytë”, do të jetë “Master i Shkencave”. Në këtë cikël kemi dhe ndryshimin e dytë thelbësor dhe cilësor. Të gjithë studentët që do të vazhdojnë Master-in Shkencor ose atë  profesional, do të japin provimin e gjuhës angleze përpara mbrojtjes së tezës ose provimit përfundimtar, me një test internacional. Pra, në Ligjin për Arsimin e Lartë do të jetë e përcaktuar që zotërimi i gjuhës angleze në një nivel të certifikuar me testet ndërkombëtare është një parakusht. Ne jemi një vend i vogël me popullsi shumë të re dhe kemi një numër të madh studentësh dhe të diplomuarish. Rrjedhimisht, jemi  të vetëdijshëm që duhet t’i shkollojmë të rinjtë në një nivel të tillë cilësor, që të jenë të aftë të konkurrojnë për t’u punësuar  në tregun e brendshëm dhe në atë rajonal.

“Diploma e Nivelit të Dytë” do të quhet “Master i Shkencave” dhe ligji e përcakton që ky program master është një program studimi i orientuar në  kërkim dhe i drejtohet kryesisht grupit të studentëve që janë të interesuar të vazhdojnë edhe studimet e doktoratës. “Masteri i Shkencave” zgjat 2 vjet dhe mbyllet me një projekt kërkimor dhe me një tezë të shkruar të Masterit. 30-40 kredite nga 120 kredite gjithsej do të shfrytëzohen për kërkim shkencor dhe për të shkruar tezën e Masterit. Kjo tezë do të mbrohet përpara një komisioni, pasi është dhënë provimi i gjuhës angleze. “Masteri i Shkencave” është diploma që të çon në studimet e doktoratës.

Krahas Master-it të Shkencave është edhe diploma Master që përfshin studime universitare të ciklit të dytë, të orientuara në një drejtim profesional. Kjo diplomë  realizohet për një vit e gjysmë dhe përmban 90 kredite. Edhe në këtë Master studentët do të japin provimin e gjuhës angleze.
Në të gjitha vendet që kanë aderuar në Procesin e Bolonjës dhe që kanë zbatuar Bachelor me 180 kredite, masterat zgjasin 1.5 ose 2 vjet. Ne u garantojmë me këtë standard të rinjve që të kenë një diplomë që përmban 270 kredite dhe që plotëson të gjitha kushtet për t’u njohur në çdo vend europian.

Në shkenca të tilla si Mjekësia dhe Arkitektura do të  vazhdojnë studimet e integruara të ciklit të dytë që zgjasin 5 vjet dhe kanë së paku 300 kredite. Këto studime përfundojnë me diplomën Master i Shkencave. Edhe për këto fusha studimi kushti i gjuhës angleze është i njëjtë.
Në ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve nuk figuron Masteri i Nivelit të Dytë. Ai është hequr për shkak se nuk kishte ekuivalent të tij as në vendet e tjera. Ishte një diplomë që zgjaste vetëm një vit me 60 kredite dhe nuk  përcaktonte qartë, nëse ishte orientuar në shkencë apo në drejtim profesional. Si e tillë, ishte e vështirë të njihej dhe nga shkollat e huaja, ndaj u vendos që ky lloj masteri të hiqet. Në doktoratë do të shkohet vetëm nëpërmjet Master-it të Shkencave ose diplomave ekuivalente me të, që vijnë nga vendet e tjera nga studimet e integruara  të ciklit të dytë. Dëshiroj të theksoj se kreditet e Masterit, që zgjat 1.5 vjet, mund të transferohen për studimet “Master i Shkencave” dhe kjo është kompetencë e universitetit që përcakton se cilat module dhe sa kredite janë të transferueshme.

Ministri Tafaj sqaroi se ndryshimet që ndodhin në studimet e doktoratës lidhen me faktin që pas vitit të parë të studimeve teorike, kandidatët kalojnë në një provim të përgjithshëm teorik që e organizon universiteti. Ai ka kompetencë të plotë të vendosë kritere për kalimin në fazën e dytë të zhvillimit të projektit kërkimor. Element i dytë i rëndësishëm është se kandidatët që regjistrohen në studimet e doktoraturës, përpara se të fillojnë projektin kërkimor, duhet të paraqesin certifikatën e zotërimit të gjuhës angleze të njohur në shkallë internacionale me një numër pikësh që e vendos universiteti. Zotërimi i gjuhës angleze është kusht edhe për programet afatgjata të specializimit.

Kapitulli i dytë i ndryshimeve ka të bëjë me decentralizimin e vendimmarrjes. Ndryshimi që bëhet në ligj, synon që miratimi i shkollave të reja publike ose private të mbetet kompetencë e Këshillit të Ministrave. Miratimi i drejtimeve dhe programeve të reja mësimore do të jetë kompetencë e Ministrit të Arsimit mbi bazën e vendimit të Këshillit të Akreditimit. Ligji saktëson se – ‘Ministri nuk mund të marrë asnjë vendim ndryshe nga vendimi i Këshillit të Akreditimit’. Të gjitha ndryshimet që ndodhin në programet e kurrikulës, për drejtimet e miratuara janë kompetencë e universiteteve. Filozofia e decentralizimit ka të bëjë me atë që duhet t’u krijojmë mundësi universiteteve që, sa më shpejt, të krijojnë profilin e tyre në konkurrencë me shkollat e tjera.

Kapitulli i tretë i ndryshimeve është ai që lidhet me departamentin. Këtu dua të theksoj dy elementë. E para , ligji saktëson se departamentet që kanë personel akademik të mjaftueshëm dhe me kualifikimin e duhur, do të strukturohen në grupe mësimore-kërkimore. Në këtë mënyrë brenda departamentit krijohet hierarkia institucionale. Qëllimi është që të promovojmë sa më shumë të rinj në postet e lidershipit brenda departamentit dhe emërimi i titullarëve të grupeve kërkimore-mësimore,  të realizohet me konkurs të hapur në fakultet.

Ndryshimet ligjore kanë prekur dhe Fakultetin e Mjekësisë. Në këtë fakultet deri tani kemi pasur strukturën e departamentit dhe atë të shërbimit. Tani edhe shërbimi do të ketë të njëjtin status me departamentin. Në këtë mënyrë u jepet mundësi shërbimeve që të përftojnë më shumë forca të kualifikuara dhe të integrojnë më shumë të rinj në strukturën e tyre.

Grupi i katërti i ndryshimeve prek politikat e personelit, të menaxhimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe të bashkëpunimit midis autoriteteve dhe organeve kolegjiale. Ligji përpiqet të sqarojë procedurat e emërimit të asistentëve dhe pedagogëve me konkurs. Rregullat do të jenë të qarta dhe ai, që klasifikohet i pari, duhet të emërohet. Konkursin e organizon vetë universiteti.

Ndryshimi tjetër ka të bëjë me mobilitetin e profesoratit. Duke qenë të vetëdijshëm për nevojat që ka sistemi për pedagogë, ligji saktëson që personeli akademik ka të drejtë që të punojë part-time në universitete të tjera publike ose private brenda apo jashtë vendit. Këtë të drejtë e kanë edhe autoritetet drejtuese të universiteteve.
 
Përmes këtij ndryshimi do të mund të arrijmë të shfrytëzojmë në maksimum kapacitetet njerëzore që kemi. Sistemi ka nevojë për kontributin e tyre, si në fushën e mësimdhënies dhe atë të kërkimit shkencor. Sipas ligjit, organet kolegjiale, këshilli i fakultetit dhe senati i universitetit, një herë në vit, duhet të organizojnë një mbledhje të hapur, me pjesëmarrjen e profesorëve dhe studentëve. Në këtë forum dekanët dhe rektorët bëjnë publik raportin vjetor të veprimtarisë, përfshirë edhe atë financiar.