Ministri i Arsimit dhe Shkencës viziton Universitetin e Prizrenit.
Me ftesë të homologut kosovar, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Z. Myqerem Tafaj, vizitoi Universitetin e Prizrenit në prag të hapjes së tij.
Tafaj pati një takim të veçantë me Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës, Z. Enver Hoxhaj.
Në këtë takim Ministri Tafaj uroi homologun e tij dhe qeverinë e Kosovës, për vendimin e GJND-së për pavarësinë e Kosovës.
Të dy ministrat diskutuan për bashkëpunim më intensiv në fushën e arsimit dhe shkencës në bazë të marrëveshjes së përbashkët, të nënshkruar më 8 mars të këtij viti.
Ministri i Arsimit Z. Hoxhaj, falenderoi Ministrin Tafaj, për mbështetjen që i ka dhënë dhe po vazhdon t’i japë arsimit të Kosovës. Ai vlerësoi suksesin e reformave që Qeveria Berisha ka ndërmarrë në fushën e arsimit dhe nënvizoi bashkëpunimin e suksesshëm midis dy vendeve, qeverive dhe ministrive përkatëse.
“Marrëveshja me Shqipërinë është shumë e veçantë, - tha Hoxhaj, dhe ne duam të marrim si model ligjin tuaj të Arsimit të Lartë. Kemi interesim të madh për përvojën e Shqipërisë edhe në hartimin e teksteve shkollore.”
Nga ana e tij, z. Tafaj, shprehu vendosmërinë për të theksuar dhe intensifikuar bashkëpunimin dhe u ndal në hapësirat që lejon marrëveshja e përbashkët. Ai shtroi para kolegut kosovar sfidat e reformimit të sistemit arsimor në Republikën e Shqipërisë dhe mbështetjen e gjithanshme të Qeverisë Berisha për arsimin e standardeve europiane.
Më pas Ministri Tafaj u takua edhe me Kryetarin e komunës së Prizrenit, ku biseduan për zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe sidomos për ndihmën e dhënën nga qeveria shqiptare në hapjen e Universitetit të Prizrenit.
Ministrat e Arsimit dhe Shkencës vizituan edhe Universitetin e këtij qyteti, i cili pret studentët e parë më 1 tetor të këtij viti.
Në një konferencë të përbashkët shtypi, të dy ministrat theksuan rëndësinë dhe funksionalizimin e Universitetit të Prizrenit.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës së Shqipërisë, Z. Myqerem Tafaj, theksoi se "Qeveria Berisha, e ka mirëpritur shumë themelimin e Universitetit të Prizrenit në këtë qytet historik dhe do ta mbështesë atë me të gjitha mundësitë, veçanërisht në nivel akademik. Rruga e Kombit, -tha Tafaj,- e bën shumë të lehtë ardhjen e pedagogëve në këtë Universitet.”
“Përvoja e themelimit të universiteteve në rajone të ndryshme të vendit në Shqipëri ka qënë shumë e suksesshme. Besoj se kjo do të ndodhë edhe në Kosovë dhe Universiteti i Prizrenit për një kohë të shkurtër do të jetë i një cilësie të lakmueshme dhe konkuruese me të tjerët”, - tha Ministri Tafaj.
|