Tiranë, më 22 Tetor 2009

 

 

Ministri Tafaj: Inkurajim për arsimin e lartë privat cilësor.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Z. Myqerem Tafaj u takua me disa përfaqësues të shkollave të larta private në Shqipëri.

Ministri Tafaj gjatë takimit, vlerësoi arritjet e deritanishme në zhvillimin e arsimit të lartë, duke theksuar se tashmë numri I studentëve është rritur ndërsa vëmendja e qeverisë në këtë mandat do të jetë cilësia.

“Qeveria është shumë e impenjuar për ti krijuar lehtësira arsimit të lartë privat,-tha Ministri Tafaj. Gjatë këtij mandati reformimi i sistemit të financimit në arsimin e lartë është prioriteti kryesor në këtë fushë.”

Ai vuri theksin mbi investimin që këto universitete duhet të bëjnë për burimet njerëzore, veçanërisht rekrutimi I asistentëve dhe pedagogëve me mastera dhe doktorata. “Ju inkurajoj për të thithur më shumë kandidatë në kuadër të programit “Brain Gain”.

Rektorët e universiteve “Luarasi” dhe “Polis”, Z. Aleks Luarasi dhe Z. Besnik Aliaj si dhe administratori I UET, Z. Henri Çili duke falenderuar Ministrin Tafaj për të gjithë mbështetjen që po jep në zhvillimin e këtij arsimi, e njohën me angazhimet konkrete të tyre për thellimin e proçesit të reformimit e modernizimit të arsimit privat në vendin tonë, me theks zhvillimin e një arsimi cilësor.

Ata kërkuan një nivel te ri bashkëpunimi mes qeverisë dhe aktorëve të rinj, lehtësimin fiscal për heqjen e TVSH-së dhe mundësitë reale për të inkurajuar në drejtime të ndryshme zhvillimin e sektorit privat.

Më pas Ministri Tafaj dhe përfaqësesit e institucioneve private bashkëbiseduan mbi rolin e ri që duhet të marrë shteti në arsimin e lartë për nje reformim tërësor të financimit në arsim si dhe nevojën e klasifikimit te diplomave që jepen nga i gjithë sistemi ynë universitar përmes një agjensie ndërkombëtare të besueshme.

Ministri I Arsimit dhe Shkencës shprehu mirëkuptimin dhe gatishmërinë për një bashkëpunim shumë të ngushtë të arsimit privat me atë public duke e quajtur edhe si një nga prioritetet e tij. Duke cilësuar mbështetjen që Qeveria Berisha po jep ndaj arsimit privat, Z. Tafaj u shpreh se do të krijojë një drejtori të posaçme për zhvillimin e arsimit privat, si dhe do të ngrihen grupe pune për mënyrat se si do të ndihmojë shteti këtë arsim. Ai siguroi gjithashtu përfaqësim të sektorit privat në të gjitha organet kolegjiale dhe vendimmarrëse për arsimin e lartë.