Ministri i Arsimit takon vlerësuesit e provimit të matematikës.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj, u takua sot në mjediset e shkollës “Sabahudin Gabrani” me vlerësuesit e testit të provimit të matematikës të Maturës Shtetërore 2010.
Ministri Tafaj e cilësoi këtë proces shumë të rëndësishëm dhe vlerësoi punën e mësuesve për të korrigjuar në mënyrë korrekte rezultatet për të gjithë maturantët.
Ai u njoh nga afër me procedurën e korrigjimit të testeve dhe theksoi se kjo mënyrë vlerësimi garanton vlerësim objektiv të maturantëve.
Vlerësimi i testeve të Maturës Shtetërore kryhet fillimisht nga 2 mësues korrigjues, që vlerësojnë në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri dhe më pas, nëse përgjegjësi që e rikontrollon testin vëren mospërputhje të pikëve në këto vlerësime, kërkon korrigjimin e testit të maturantit nga një vlerësues tjetër.
Prej disa ditësh vlerësuesit e provimit të Matematikës që janë përzgjedhur nga mësuesit më të mirë në të gjithë vendin, janë mbledhur në 4 qendra kombëtare vlerësimi, ku po kryejnë procesin e korrigjimit të testeve për rreth 38 000 maturantë.
|