Tiranë, më 20 Tetor 2009

     
 

 

Ministri Tafaj : Kryefjala e Arsimit Profesional është reforma e këtij sistemi dhe cilësia.

 

Ministri i Arsimit dhe Shkencës Z. Myqerem Tafaj bëri publike objektivat e MASH në fushën e arsimit dhe formimit profesional (AFP). I pranishëm në prezantimin e fazës së dytë të projektit AlbVET në Tiranë, mbi lidhjen e arsimit profesional me tregun e punës, Tafaj paraqiti sfidat e MASH-it në këtë drejtim të shkollimit.

Ai, pasi falenderoi qeverinë zvicerane dhe qeveritë e vendeve të tjera që kontribuojnë në zhvillimin e këtij sektori në vendin tonë, theksoi se AFP në Shqipëri ka hyrë në fazën e një reformimi të thellë.

Për ministrin Tafaj arritjet në AFP i përkasin reformës kurrikulare, përmirësimit të infrastrukturës dhe trajnimit të mësuesve. AFP-ja është një nga prioritetet kryesore të kësaj qeverie në fushën e arsimit, pasi kosiderohet si rruga më e sigurt për rritjen e shkallës së punësimit në Shqipëri.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës vuri në dukje objektivat kryesore të këtij institucioni, duke theksuar se nga reforma e sistemit të AFP-së pritet të zhvillohet një sistem që garanton një shkollim profesional, që krijon shanse reale punësimi dhe vëtëpunësimi, një sistem që mobilizon në mënyrë sistematike të gjithë aktorët, pushtetin vendor, bashkitë e komunat si dhe komunitetin në tërësi. Ky sistem duhet të gërshetojë gjithashtu formimin profesional të të rriturve dhe mësimin gjatë gjithë jetës si dhe të stimulojë zhvillimin e AFP privat cilësor në Shqipëri.

Z. Tafaj vlerësoi se kryefjala e Arsimit Profesional në Shqipëri do të jetë cilësia. Për të arritur cilësi të lartë theksoi Z. Tafaj, Qeveria Berisha po mbështet me përparësi kualifikimin e mësuesve si dhe investimet për laboratorë dhe qendrat e formimit praktik.

“Ndërkohë MASH, inkurajon shkollat e larta të hapin kurse të shkurtra dhe ato të masterit për mësuesit e shkollave profesionale. Gjithashtu cilësia kërkon edhe një infrastrukturë fizike e laboratorike, praktikë moderne e metoda bashkëkohore të mësimdhënies” -cilësoi Tafaj.

Një tjetër prioritet i Ministrisë së Arsimit do të jetë edhe zhvillimi i një pakete nxitëse për nxënësit e AFP, duke nënkuptuar këtu bursa për nxënësit, iniciativa fiskale nxitëse si për bizneset ashtu edhe për rinjtë që përfundojnë arsimin profesional.


Ministri Tafaj u ndal edhe në bashkëpunimin me biznesin dhe pushtetin vendor duke e konsideruar si një hallkë thelbësore në zhvillimin e Arsimit Profesional.

”Ndërsa në nivelin e bashkëpunmit me ndërkombëtaret dhe partnerët e huaj si dhe me Ministrinë e Punës e Çështjeve Sociale duhet sjellë një dinamikë e re e veprimtarisë së Këshillit Kombëtar të AFP-së, për të arritur në një efikasitet maksimal në përdorimin e burimeve njerëzore dhe financiare në këtë fushë të arsimit”-theksoi Tafaj.

Qeveria zvicerane ka mbështetur prej vitit 1993 Arsimin Profesional në Shqipëri duke dhënë një kontribut total prej 13.2 milion Euro.