Tiranë, më 19 Nëntor 2009

     

 

Ministri Tafaj: Rektorët të iniciojnë ditën e bashkëbisedimit të studentëve me biznesin. 

Ministri i Arsimit dhe Shkencës Z. Myqerem Tafaj mori pjesë në ceremoninë e organizuar në ambientet e Rektoratit të Universitetit të Tiranës, për akordimin e bursave, studentëve më të mirë të Maturës Shtetërore 2009-2010.

Në përshëndetjen e tij Ministri Tafaj, pasi uroi studentët e shkëlqyer, falenderoi AMC për bursat e ofruara dhe theksoi se rezultatet e këtyre studentëve janë imazhi më i mirë i reformës në Maturën Shtetërore. Ai vlerësoi se Ministria e Arsimit do të vazhdojë të mbështesë me iniciativa të vazhdueshme jo vetëm studimet e tyre por edhe mënyrat e thithjes nga ana e bizneseve. Ministri Tafaj u ndal veçanërisht në një traditë të re të bashkëpunimit me bizneset, që duhet krijuar tashmë në të gjitha insitucionet e Arsimit të Lartë në vend.

Duke ju drejtuar rektorëve të universiteteve, ai u shpreh se ”është shumë e rëndësishme që ju të krijoni një ditë të veçantë në të gjitha fakultetet e vendit, ku të gjithë aktorët e biznesit në Shqipëri të mund të bashkëbisedojnë me studentët. Kjo traditë do të shërbejë për të nxitur përkrahjen e studentëve dhe për ti përqasur ata drejt praktikave dhe tregut të punës”. 

Nga ana e tij z. Stefanos Oktapodas, Drejtori Ekzekutiv i AMC, përgëzoi studentët për rezultatet e larta që kanë arritur dhe shtoi se AMC do ti mbështesë në ecurinë e tyre të mëtejshme gjatë studimeve.

Për të tetin vit radhazi AMC shpërndan bursa për studentët më të mirë të Maturës Shtetërore. Programi i bursave të AMC - së ka për qëllim përkrahjen dhe nxitjen e vlerave më të mira të studentëve.

Është viti i parë që AMC u akordon bursë edhe atyre studentëve që kanë treguar përkushtim ndaj studimeve dhe kanë arritur rrezultate të larta gjatë vitit akademik.
Nga 10 studentët që përfituan bursë vitin e kaluar, 6 prej tyre arritën rezultate shumë të mira.