Tiranë, më 17 Maj 2010

 

 

Ministri Tafaj : Degë të reja të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në shkollat tona profesionale.

 

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj, mori pjesë sot në tryezën e rrumbullakët me temë: “Përmirësimi i Cilësisë dhe Zhvillimi i Degëve të reja të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit(TIK), në Shkollat Profesionale”

Në fjalën e tij, Ministri Tafaj, theksoi se zhvillimi i Arsimit Profesional është një nga prioritetet e MASH-it dhe ky takim synon të diskutojë rreth  rrugëve dhe mundësive për rritjen e cilësisë së Arsimit Profesional dhe për orientim e tij drejt tregut të punës.

Në kuadrin e nismës së shpallur nga Kryeministri Berisha “Shqipëria në moshën Dixhitale” në fushën e arsimit janë ndërmarrë refoma, jo vetëm në nivelin e arsimit të mesëm, por dhe të lartë që synojnë të rrisin numrin e nxënësve që mësojnë dhe studiojnë në degët dhe profesionet e lidhura me Teknologjinë e Informacionit.
- Teknologjia e Informacionit zbatohet në çdo fushë. Është një numër i madh profesionesh që prek pikat e takimit midis industrisë, ekonomisë , biznesit, tregtisë dhe Teknologjisë së Informacionit. Është ekonomia e shërbimeve, turizmi, bujqësia dhe shumë drejtime te tjera, ku janë zhvilluar profesione të qëndrueshme që i përgjigjen kërkesave të tregut të punës. Kriza financiare e tre viteve të fundit në gjithë botën tregoi se profesionet më pak të prekura nga kriza ishin ato që lidhen me TIK-un. Koha e paskrizës tregon se shanset e ekonomive për të dalë sa më shpejt nga kriza dhe për t’u ringritur janë më të mëdha në vendet ku investimi për arsimin ka qenë më i madh dhe ku niveli i arsimimit dhe i formimit të specialistëve është më i lartë, - u shpreh z. Tafaj.

Në këtë kuadër MASH bashkë me DAR-et dhe shkollat profesionale e me mbështetjen e Agjencisë së Arsimit dhe Formimit Profesional dhe me mbështetjen të vyer të donatorëve ka zhvilluar këtë project, përmes të cilit synohet të hapen degët e IT –së në disa shkolla profesionale të rretheve.
Projekti parashikon paraprakisht që degët e reja të hapen në 12 shkolla. Aktualisht degë të tilla ka vetëm në 5 shkolla, nga 49 shkolla profesionale në shkallë vendi.

Duke u ndalur në faktorët që mundësojnë zhvillimin e këtij projekti, Ministri Tafaj e cilësoi si të rëndësishëm faktorin e burimeve njerëzore

- Në bazë të projektit synohet të arrihet një numër i mjaftueshëm mësuesish nga TIK, por jo vetëm sepse kemi një numër të pamjaftueshëm specialistësh të diplomuar në IT-së. Nga viti që vjen numri i tyre do të jetë shumë i madh, por dhe nga fusha të tjera veçanërisht nga fizika, matematika dhe degët e inxhinierive. Mësuesit janë trajnuar dhe do të vazhdojnë të trajnohen në këtë fushë me shpejtësi, ka sqaruar Ministri i Arsimit dhe Shkencës. Nga ana tjetër, do të shfrytëzohen edhe inxhinierët elektronikë dhe të telekomunikacionit në të gjitha rrethet e vendit, duke adaptuar mekanizma stimuluse dhe tërheqëse për këtë grup specialistësh si mësues të jashtëm,- vijoi z. Tafaj.

Hapja e klasave dhe degëve të reja në shkolla do të nxisë të rinjtë të zgjedhin shkollat e mesme profesionale, pasi përmes studimeve kanë mundësi që në përfundim të shkollës të kenë dy avantazhe: atë të daljes në tregun e punës duke u punësuar ose vetëpunësuar dhe për të vijuar shkollimin e lartë në fushat e lidhura me TIK.

Gjatë fjalës së tij, Ministri Tafaj, theksoi se MASH është e përgatitur të investojë për të mbështetur hapjen e degëve të reja.  Në mënyrë të veçantë  ai falenderoi përfaqësuesit e biznesit dhe donatorët që kanë shprehur gatishmërinë për të mbështetur zhvillimin e TIK-ut në shkollat profesionale.