Arsimi profesional, Ministri Tafaj : Përparësi kualifikimit të mësuesve, rritjes së pjesëmarrjes së nxënësve, e mundësive të reja për punësim të tyre.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës Z. Myqerem Tafaj zhvilloi një takim me nxënësit dhe mësuesit e shkollës së mesme profesionale “Karl Gega”, në Tiranë.
Gjatë vizitë së tij, Ministri Tafaj theksoi edhe një herë se arsimi profesional përbën një sektor prioritar të programit qeveritar për arsimin shqiptar. Z. Tafaj u shpreh se pas vendimit të disa ditëve më parë të Këshillit të Ministrave, po stimulohen financiarisht me bursa të gjithë nxënësit e vitit të parë dhe po punohet edhe për krijimin e një pakete nxitëse në formë granti për t'ju dhënë mundësi të reja vetëpunësimi.
Gjithashtu Ministri Tafaj vlerësoi se Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) po punon intensivisht për modernizimin e shkollave profesionale, që ato të jenë baza të qëndrueshme të formimit teorik dhe praktik, sipas standarteve europiane.
Duke folur për ligjin e ri të arsimit profesional, Z. Tafaj garantoi nxënësit dhe mësuesit se MASH do të krijojë hapësirën e plotë që shkollat profesionale të zhvillojnë elementin e biznesit të vet, duke u mbështetur në modelet më të përparuara të arsimit profesional për ta kthyer këtë sektor në shkollim real që do t'i shërbejë tregut aktual të punës.
“Bashkëpunimi me biznesin privat për shkollat e arsimit profesional është thelbësor”, vlerësoi Ministri Tafaj, “pasi mbetet ende prioritare mënyra dhe cilësia e thithjes së nxënësve nga këto biznese”.
Vendosja e rrugëve të reja të bashkëpunimit me biznesin vendas do të krijojë lehtësira punësimi, hapësira për vetpunësim dhe njëkohësisht mundësinë për vazhdim të shkollimit të tyre të mëtejshëm në fushat e interesit.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës duke u ndalur në cilësinë e mësimdhënies theksoi kualifikimin profesional që duhet të arrijnë mësuesit.
“Ne mbështesim me përparësi kualifikimin e mësuesve në arsimin profesional dhe inkurajojmë universitetet të hapin kurse trajnimi e programe studimi të nivelit master, për mësues për këtë sektor.”
Në këtë kuadër, Ministri Tafaj kërkoi nga stafi pedagogjik përkushtimin e tyre në punën që ata duhet të bëjnë me nxënësit dhe prindërit me qëllim që të tërheqin interesin e tyre për përparësitë që sjell përfshirja në arsimin profesional.
Duke u ndalur në bashkëpunimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë sidomos në fushën e arsimit profesional, Ministri Tafaj vlerësoi se tashmë MASH ka një rrjet të zgjeruar bashkëpunimi me organizma të huaj që kanë kontribuar dhe që po mbështesin në mënyrë intensive arsimin profesional.
Në përfundim Ministri Tafaj shprehu se “Progres Raporti i Bashkimit Europian, publikuar disa ditë më parë, thekson se fusha e arsimit është vlerësuar mirë veçanërisht për përpjekjet e bëra në zhvillimin e arsimit profesional sipas standarteve europiane.”
|