Tiranë, më 15 Qershor 2010



Përfundon normalisht provimi i detyruar i lëndës së Matematikës për Maturën Shtetërore 2010


Mbyllet procesi i provimit të detyruar të Maturës Shtetërore 2010 për lëndën e Matematikës.
Rreth 38.000 maturantë provuan sot dijet e tyre për lëndën e matematikës, nëpërmjet një testi të përgatitur nga ekspertët e përzgjedhur të kësaj fushe.
Pas shpërndarjes së tezës në të gjitha shkollat dhe mjediset e përzgjedhura nga DAR/ ZA-të, provimi filloi njëkohësisht në orën 10:00 dhe zgjati 2 orë e 30 minuta.  
Nga monitorimi i vazhdueshëm për Maturën Shtetërore, në 37 Drejtori Arsimore Rajonale dhe Zyra Arsimore rezultoi se gjithçka eci normalisht.
Menjëherë pas përfundimit të provimit të Matematikës të gjitha testet e maturantëve do të nisen në drejtim të Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve (AVA), me masa të rrepta sigurie dhe do të shpërndahen në katër qendrat e korrigjimeve në të gjithë Shqipërinë.

Procesi i vlerësimit të testeve do të monitorohet nga ekspertë të politikave të inspektimit në MASH dhe specialistë të Inspektoriatit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar.
Çdo maturant, çdo prind, çdo institucion dhe çdo i interesuar për provimin e kësaj lënde mund t’i gjejë përgjigjet në faqen e internetit të MASH-it (www.mash.gov.al ).