Tiranë, më 13 Tetor 2009

 

Ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Myqerem Tafaj takon kryetarin e senatit të Kanadasë z. Noel A. Kinsella

 

Dje Ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Myqerem Tafaj takoi kryetarin e senatit të Kanadasë z. Noel Kinsella.

Ministri Tafaj falënderoi z. Kinsella, senatorët dhe zyrtarët e tjerë që e shoqëronin, për takimin në MASH.

Gjatë takimit Ministri vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Kanadasë, si dhe mbështetjen e Kanadasë për sa i përket procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe mbështetjen për pavarësinë e Kosovës.

Për qeverinë e Shqipërisë, pohoi Ministri Tafaj, arsimi është një prioritet. Për herë të parë qeveria, tha ai, do të rrisë deri në 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto buxhetin publik për arsimin, përveç 1% të financimit nga sektori privat.

Duke folur për reformat e Ministrisë që drejton, Ministri Tafaj përmendi nismën e Qeverisë për aplikimin e Teknologjisë së Informacionit në sistemin arsimor. Gjatë mandatit të parë, u shpreh Ministri, MASH pajisi të gjitha shkollat me kompjuter dhe shërbim interneti. Deri në fund të mandatit të dytë do të mundësohet implementimi i sistemit e-learning në arsim.

Për sa i përket Arsimit të Lartë Ministri Tafaj tha se nevoja për arsimim të lartë është e madhe në Shqipëri dhe se numri e përqindja e studentëve që studiojnë jashtë shtetit është relativisht e lartë. Për këtë po inkurajohet sektori privat, sidomos me çeljen e Institucioneve të reja të Arsimit të Lartë privat.

Ministri Tafaj tha gjithashtu se MASH dhe të gjithë universitetet shqiptare janë shumë të interesuar për bashkëpunime me qeverinë Kanadeze në fushën e arsimit, duke ditur se universitetet kanadeze, në fushën e mësimdhënies, janë ndër më cilësoret në Botë.

“Ne si MASH inkurajojmë universitetet të bashkëpunojnë me universitetet e huaja, siç mund të jenë ato kanadeze, për të zhvilluar kërkimin shkencor. Kemi hedhur hapa të mëdhenj në kuadrin e reformës në kurrikula dhe në arritjen e standardeve evropiane siç është implementimi i Kartës së Bolonjës.”

Lidhur me emigrantët shqiptarë në Kanada, Ministri vërejti se në këtë vend jeton dhe punon një komunitet shqiptar me rreth 23 mijë shqiptarë, pjesa më e madhe e të cilëve janë të diplomuar në Shqipëri dhe për më tepër diplomat e tyre universitare janë njohur nga sistemi kanadez i arsimit. “Ne, -tha Ministri, -jemi shumë të interesuar të vazhdojmë të këtë bashkëpunim me qeverinë Kanadeze, madje deri në ofrimin e diplomave të përbashkëta universitare në fushat me interes reciprok për të dy vendet ”

Në fund të takimit Ministri Tafaj siguroi z. Kinsella se Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të ndërmarrë të gjitha hapat për të intensifikuar bashkëpunimin mes qeverisë shqiptare dhe asaj kanadeze në fushën e arsimit, sidomos për zhvillimin e kërkimit shkencor.

Nga ana e tij z. Noel A. Kinsella siguroi Ministrin Tafaj për bashkëpunimin e qeverisë Kanadeze me qeverinë Shqiptare, në veçanti në fushën e arsimit, duke bërë të njohur me këtë rast edhe mundësitë e aplikimit për bursa studimi, në cikle të ndryshme të studimit, në Kanada.

Kreu i senatit kanadez shprehu gatishmërinë e qeverisë së tij për të mbështetur integrimin e plotë të komunitetit shqiptar që punon dhe jeton në Kanada, si dhe për mundësimin e shkëmbimit të studentëve e stafit akademik të universiteteve ndërmjet dy shteteve .