MASH organizon: Konferencën Kombëtare “Matura Shtetërore drejt standarteve europiane”
Ministria e Arsimit dhe Shkencës organizoi në ambientet e Shkollës së Mesme Artistike Kombëtare ” Jordan Misja”, Konferencën Kombëtare, “Matura Shtetërore drejt standarteve europiane”.
Në fjalën e tij Ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Myqerem Tafaj e cilësoi procesin e Maturës Shtetërore një standard modern të arsimit shqiptar dhe një vendim politik të Qeverisë Berisha të mirëpritur nga vetë nxënësit, prindërit dhe mësuesit e arsimit parauniversitar.
“Matura Shtetërore ka ndikuar pozitivisht në rritjen e nivelit të shkollës së mesme dhe do të vazhdojë të ndikojë duke e çuar atë drejt standarteve europiane” - tha Tafaj.
Implementimi i “Sistemit MeP”(Meritë Preferencë) në pranimet në universitetet publike vendosi një standard të ri realist dhe transparent, të mbështetur në meritën dhe preferencën e çdo maturanti.
Matura Shtetërore ka realizuar deri tani një përputhje shumë të mirë midis ofertës dhe kërkesës në tregun e Maturës. Përmirësimi i cilësisë së kandidatëve që preferojnë programe studimi të caktuara, rrit reputacionin e Universiteteve.
Duke e cilësuar përgatitjen për provimet e MSH-së detyrë parësore të shkollës, Ministri Tafaj garantoi se provimet e MSH do të jenë të mbështetura vetëm në programin e shkollës së mesme.
Shkollat do të organizojnë konsultime për provimet sipas një plani të programuar duke mos lejuar organizimin e kurseve private. Gjithashtu Këshillimi i Karrierës për maturantët këtë vit do të marrë një bazë më të gjerë, duke përfshirë, jo vetëm fushën sensibilizuese në mediat e shkruara dhe elektronike por edhe organizimin e Ditëve të Hapura për Këshillimin e Karrierës, në të gjitha qarqet dhe prefekturat e vendit.
Këtë vit aplikimi i Formularit A2 do të jetë edhe përmbyllës për regjistrimin në Institucionet e Arsimit të Lartë. Për të shmangur tejzgjatjen e procesit të MSH nuk do të këtë më Formular A3 dhe A4, theksoi Tafaj.
Më tej Ministri i Arsimit dhe Shkencës sqaroi se, Formulari A2 do të plotësohet nga maturantët pasi çdo nxënës të ketë në dorë rezultatet e katër provimeve të Maturës.
Këtë vit dhënia e provimeve të MSH ato të detyrueshme dhe me zgjedhje do të përfundojnë brenda datës 30 qershor 2010.
MASH garanton administrimin dhe vlerësimin korrekt të MSH. Këtë vit do të zbatohet korrigjimi i dyfishtë dhe korrigjuesit do të jenë mësuesit më të mirë që do të trajnohen dhe vlerësohen edhe me kredite.
Për të rritur akoma më shumë cilësinë e administrimit të provimeve të MSH, provimet me zgjedhje do të organizohen në qendra të përqëndruara në çdo qark të vendit.
Rezultati negativ i njërit prej provimeve të MSH nuk do të penalizojë hyrjen e maturantëve në provimet me zgjedhje.
Gjatë konferencës u referua nga të pranishmit edhe në lidhje me rritjen e kapaciteteve të AVA-s për administrimin e Maturës Shtetërore, tendencat dhe dukuritë në zbatimin e parimit meritë preferencë dhe si i ka shërbyer MSH rritjes së cilësisë së Arsimit të Lartë
Në përfundim të Konferencës Kombëtare, “Matura Shtetërore drejt standarteve Europiane” u zhvilluan edhe dy tavolina të rrumbullakëta në të cilat specialistet e fushës diskutuan rreth organizimit, menaxhimit dhe administrimit të provimeve të detyruara dhe me zgjedhje të MSH, por gjithashtu u diskutua dhe rreth Këshillimit të karrierës dhe fazës së përcaktimit të fituesve.
|