Tiranë, më 10 Nëntor 2009

     

 

Ministri i Arsimit dhe Shkencës Z. Myqerem Tafaj takon Ambasadoren e Republikës së Francës Znj Maryse Daviet.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës z. Myqerem Tafaj takoi Ambasadoren franceze në Tiranë Znj. Maryse Daviet.
Kreu i arsimit shqiptar vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen që Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka patur nga homologia e saj franceze.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës u ndal në mënyrë të veçantë në reformat që ka bërë dhe do të vazhdojë të bëjë qeveria aktuale në të gjitha sistemet arsimore në Shqipëri.

Nga ana e saj Ambasadorja franceze në Tiranë, Znj. Maryse Daviet siguroi Ministrin Tafaj se bashkëpunimi i deritanishëm do të intensifikohet edhe më tej në fushën e arsimit dhe shkencës. Ministria e arsimit dhe e shkencës ka disa drejtime të bashkëpunimit me qeverinë franceze.

Pas nënshkrimit të “Konventës midis Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Shqipërisë dhe Ambasadës së Republikës së Francës mbi Funksionimin e Seksioneve Dygjuhëshe Shqiptaro-Franceze” u arrit forcimi i partneritetit dhe bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh në fushën e arsimit profesional dhe teknik.

Bashkëpunimi shqiptaro-francez shtrihet dhe në qarqet universitare, të cilat në kuadrin e autonomisë së tyre kanë marrëveshje të drejtëpërdrejta me universitetet franceze, falë hapjes së Departamentit të Gjuhës Frënge në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.