Tiranë, më 10 Maj 2010

 

 

MASH, MPÇSSHB dhe Ambasada e Konfederatës Zvicerane nëshkruajnë marrëveshje bashkepunimi në fushën e Arsimit dhe Formimit Profesional.

 

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj, Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, z. Spiro Ksera,  dhe Ambasadorja e Konfederatës Zvicerane në Tiranë znj. Yvana Enzler, nënshkruan dy marrëveshje bashkëpunimi: Marrëveshjen për fazën e dytë të projektit “Programi mbështetës për Arsimin dhe Formimin Profesional” (ALBVET) dhe marrëveshjen e projektit “Edukimi Alternativ dhe Trajnimi Profesional” (CEFA).

Në fjalën e  tij Ministri Tafaj vlerësoi se këto dy marrëveshje që u nënshkruan  janë vazhdimësi  e një bashkëpunimi të shkëlqyer midis qeversisë shqiptare dhe asaj të Zvicrës.
- Pala zvicerane është një nga kontribuesit kryesorë në mbështetjen e Arsimit dhe Formimit Profesional në Shqipëri. Me këto dy marrëveshje ky bashkëpunim thellohet edhe më tej, -tha z. Tafaj.

Marrëveshja me ALBVET, ka të bëjë drejpërdrejt me  Arsimin dhe Formimin Profesional të orientuar kryesisht në fushën e hidraulikës dhe  të programeve të lidhura me të për arsimin dhe trajnimin profesional shqiptar. Qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti është mbështetja e Arsimit dhe Formimit Profesional Shqiptar për t’u përshtatur me kërkesat e tregut të punës.

Ministri Tafaj e cilësoi të rëndësishme Marrëveshjen “Edukimi Alternativ dhe Trajnimin Profesional” (CEFA) si një program që ka të bëjë me edukimin alternativ dhe trajnimin profesional që u kushtohet kryesisht fëmijëve romë.

- Kjo është krejtësisht në përputhje me strategjinë tonë të braktisjes zero të arsimit të detyruar, ku fëmijët romë zënë një vend të veçantë, - ka theksuar Ministri i Arsimit dhe Shkencës  në fjalën e tij.
Janë bërë hapa të rëndësishëm në përmirësimin e situatës së shkollimit të fëmijëve romë. Sipas statistikave rreth 59% e tyre janë në shkolla, por ende kemi shumë punë për të bërë.
- Marrëveshja do të shënojë një hap tjetër të rëndësishëm në rritjen e nivelit të shkollimit të fëmijëve romë”, - u shpreh Ministri Tafaj

Ambasadorja zvicerane vlerësoi kontrubutin për fazën e dytë të projektit ALBVET në mbështetje të reformimit të arsimit dhe të trajnmit profesional në Shqipëri dhe të zhvillimit të sistemit të decentralizuar të VET, i cili ofron për grupe të ndryshme përdoruesish trajnim fleksibël dhe të përshtatshëm për grupet e punës. Zvicra kontribuon për vijimin e projektit Arsim Alternativ dhe Trajnim Profesional, në mbështetje të përfshirjes sociale të komunitetit rom përmes arsimimit. 

Nga ana e tij Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, z. Ksera, falenderoi qeverinë e Konfederatës së Zvicrës për mbështetjen që i ka dhënë Qeverisë shqiptare dhe vlerësoi bashkëpunimin  shumë të ngushtë me MASH në fushën e formimit profesional, si hallkë kryesore për uljen e papunësisë në vendin tonë dhe theksoi se këto projekte  do të ndihmojnë të gjitha shtresat në nevojë dhe në veçanti romët.