Ministri Tafaj merr pjesė nė Konferencėn e Ministrave tė Arsimit nė Slloveni.
Këshilli i Evropës dhe Ministria e Arsimit dhe Sporteve të Republikës së Sllovenisë organizuan në Ljubljana, më 4-5 Qershor 2010, Sesionin e 23-të të Konferencës së Ministrave të Arsimit. Në këtë konferencë mori pjesë edhe një delegacion i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, i kryesuar nga Ministri, z. Myqerem Tafaj.
Duke trajtuar temën “Arsimi për Shoqëritë e Qëndrueshme Demokratike: Roli i Mësuesve”, konferenca nënvizoi disa prej sfidave më të rëndësishme me të cilat po ndeshen shoqëritë e sotme bashkëkohore, si dhe rolin e rëndësishëm të Evropës në trajtimin e çështjeve që janë bërë gjithnjë e më urgjente nga kriza globale.
Konferenca kulmoi me arritjen e konkluzioneve praktike dhe përcaktimin e strategjive lidhur me politikat e edukimit të mësuesve dhe dha orientime për veprimtarinë e ardhshme të Këshillit të Evropës në modelimin e shoqërive të qendrueshme demokratike.
Gjatë punimeve të konferencës e mori fjalën edhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj, i cili, pasi falenderoi mikpritësit dhe Këshillin e Evropës për organizimin e kësaj konference nënvizoi rëndësinë e temës qendrore të veprimtarisë në zhvillimin e shoqërive të qendrueshme demokratike. Ministri Tafaj foli për arsimin në vendin tonë, si një nga prioritetet kryesore të programit të qeverisë shqiptare, për dyfishimin e buxhetit për arsimin në vitet e fundit, për reformat e thella të ndërmarra në sistemin arsimor dhe shkencor, duke u ndalur, veçanërisht, në edukimin, trajnimin dhe ritrajnimin e mësuesve, si aktorë kryesorë të reformës në arsim.
Ditën e parë të punimeve të konferencës, gjatë sesioneve të punës në grupe, Ministri Tafaj drejtoi punimet e njërit prej tre sesioneve, ku u trajtua tema “Partneritetet dhe krijimi i rrjeteve në arsim”. Çështjet më të rëndësishme që u diskutuan gjatë punimeve në këtë sesion ishin format e partneritetit dhe qeverisja demokratike për krijimin dhe zhvillimin e dialogut ndërkulturor dhe të menaxhimit të diversitetit kulturor; mbështetja që mund të japë Këshilli i Evropës në këtë drejtim, dhe domosdoshmëria e trajnimit të stafit arsimor për të marrë pjesë në partneritete dhe për të mbështetur qeverisjen demokratike të institucioneve arsimore.
Pas përfundimit të punimeve të sesionit të 23-të të konferencës, ministrat e Arsimit të 5 vendeve të Evropës Juglindore morën një vendim të ri për vazhdimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e arsimit dhe shkencës apo të vijimit edhe në të ardhmen të “Nismës për Reformën në Arsim në Evropën Juglindore (ERI SEE), duke nënshkruar një Memorandum të Ri Mirëkuptimi.
Gjatë ditëve të punimeve të konferencës, z. Tafaj pati takime me homologë dhe kryetarë delegacionesh të vendeve të ndryshme, me të cilët diskutoi për bashkëpunimin bilateral në fushën e arsimit dhe shkencës dhe mundësitë e zgjerimit të hapësirave të bashkëpunimit në të ardhmen.
|